Shtime, 22 maj 2025- Kryetari i Komunës së Shtimes, Qemajl Aliu, po merr pjesë në vizitën zyrtare shtetërore në Zvicër, si pjesë e delegacionit të Republikës së Kosovës të udhëhequr nga Presidentja Vjosa Osmani.
“Është një nder i madh të kem pjesë e delegacionit shtetëror në një vizitë historike për vendin tonë. Kjo është një dëshmi e përkushtimit tonë të përbashkët për forcimin e marrëdhënieve me partnerët tanë strategjikë dhe për përfaqësimin dinjitoz”, tha kryetari Aliu.
Kjo vizitë, e para e këtij niveli në Zvicër, u prit me nderime të larta shtetërore nga autoritetet zvicerane.
Në ceremoninë zyrtare në Sheshin Federal dhe gjatë takimeve me përfaqësues të mërgatës shqiptare, u theksua rëndësia e thellimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Zvicrës, një aleate e përhershme dhe mbështetëse e palëkundur e qytetarëve të Kosovës.
Në mbrëmje, delegacioni mori pjesë në Darkën Shtetërore të organizuar nga Presidentja e Zvicrës, Karin Keller-Sutter dhe Këshilli Federal zviceran.
Në këtë ngjarje solemne, së bashku me shumë pjesëtarë të mërgatës, u ngrit dolli për miqësinë e qëndrueshme mes dy popujve dhe për të ardhmen e partneritetit ndërmjet dy shteteve.