Shtime, 26 maj 2025- Kryetari i Komunës së Shtimes, Qemajl Aliu, së bashku me bashkëpunëtorët e tij, priti në një takim pune ministrin në detyrë të Ministrisë së Zhvillimit Rajonal, Fikrim Damka.
Qëllimi i këtij takimi ishte diskutimi mbi projektin e përbashkët “Ndërtimi i Tregut të Hapur në Qytetin e Shtimes, Faza e III-të”, i cili po realizohet në bashkëpunim mes Komunës së Shtimes dhe MZHR-së, me synim përmirësimin e kushteve për tregtarët dhe qytetarët e kësaj komune.
Pas diskutimeve në ambientet e komunës, Kryetari Aliu dhe Ministri Damka, të shoqëruar nga zëvendësministri Elldin Uglari, drejtori i DPKZHR-së Ylber Çitaku dhe zyrtarë të tjerë të MZHR-së, vizituan nga afër vendin ku po zhvillohen punimet për ndërtimin e tregut të hapur, faza e III-të.
Gjatë këtij takimi u bë e ditur se së shpejti pritet të nënshkruhet edhe memorandumi për finalizimin e projektit të tregut të gjelbër, një tjetër investim me rëndësi për zhvillimin ekonomik lokal.