Shtime, 23 maj 2025- Në sheshin “Ahmet Shtimja”, edhe këtë vit u organizua Karvani Shëndetësor “PërSHËNDETje”, një aktivitet i rëndësishëm që synon të promovojë kujdesin për shëndetin e qytetarëve përmes edukimit dhe ndërgjegjësimit.
Aktiviteti u organizua nga Komuna e Shtimes, përkatësisht Drejtoria për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, në bashkëpunim me projektin AQH – Accessible Quality Healthcare dhe Fondacionin Kosovar për Popullsi (KOPF) dhe QKMF “Dr.Vezir Bajrami” në Shtime.
Në këtë ngjarje morën pjesë edhe nënkryetari i komunës, Faruk Beqa, drejtoresha për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, Mimoza Salihu-Qeriqi, drejtori i QKMF-së, Ilaz Kadrijaj, si dhe profesionistë të fushës së shëndetësisë, të cilët përgëzuan organizatorët për këtë iniciativë.
Profesionistët nga QKMF “Dr. Vezir Bajrami” shpërndanë informacione të rëndësishme mbi parandalimin dhe menaxhimin e rreziqeve shëndetësore. Temat e trajtuara përfshinin rëndësinë e aktivitetit fizik, efektet e dëmshme të duhanit dhe alkoolit, mbipeshën dhe ushqimin e shëndetshëm.
Brenda tendave të vendosura në sheshin e qytetit, qytetarëve iu ofruan edhe këshilla dhe shërbime profesionale nga stafi mjekësor.
Ky aktivitet kishte për qëllim kryesor ngritjen e vetëdijes dhe reduktimin e faktorëve të rrezikut që lidhen me stilin e jetës së pashëndetshme, duke kontribuar kështu në përmirësimin e mirëqenies së përgjithshme të popullatës.