Shtime, 22 korrik 2026- Me ftesë të Komandantit të Kontingjentit Turk të KFOR-it, kolonel Harun Elitaş, kryetari i Komunës së Shtimes, Dr. Qemajl Aliu, së bashku me bashkëpunëtorë, ishte sot mysafir në kazermën ushtarake “Sulltan Murat” në Prizren. Në këtë takim ishte i pranishëm edhe kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni.
Një nga rezultatet më të rëndësishme të këtij takimi ishte dakordimi për nisjen e punimeve për renovimin e SHFMU “Abdullah Shabani”, paralelja e ndarë në fshatin Zborc, para fillimit të vitit të ri shkollor. Ky investim do të kontribuojë në përmirësimin e kushteve për zhvillimin e procesit mësimor, duke krijuar një ambient më të përshtatshëm për nxënësit dhe stafin arsimor.
Ky projekt vjen si vazhdim i bashkëpunimit të suksesshëm ndërmjet Komunës së Shtimes dhe KFOR-it Turk, pas investimit të realizuar disa muaj më parë në shkollën e fshatit Mollopolc.
“Pata kënaqësinë ta falënderoj komandantin për angazhimin, përkushtimin dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm me komunat tona, jo vetëm në ruajtjen e sigurisë dhe stabilitetit, por edhe në realizimin e projekteve të përbashkëta në dobi të qytetarëve.
Pas investimit të realizuar disa muaj më parë në Shkollën e Mollopolcit, u dakorduam që para fillimit të vitit të ri shkollor të nisin edhe punimet për renovimin e SHFMU “Abdullah Shabani”, paralelja e ndarë në fshatin Zborc, si dhe të vazhdojmë bashkëpunimin në projekte të tjera me interes për komunën tonë”, tha kryetari Aliu.
Kryetari Aliu vlerësoi lart bashkëpunimin me KFOR-in Turk, duke theksuar se ky takim ishte jo vetëm institucional, por edhe shumë i ngrohtë e miqësor, duke dëshmuar edhe një herë marrëdhëniet e shkëlqyera dhe gatishmërinë për të vazhduar realizimin e projekteve në shërbim të qytetarëve të Komunës së Shtimes.