Mirë se vini në Shtime
Kryetar i Komunës: Qemajl Aliu (LVV)
Popullsia: 24,308 banorë (sipas regjistrimit të vitit 2024)
Sipërfaqja: 134 km²
Kodi postar: 72000
Prefiksi telefonik: +383 0290
Tabelat e automjeteve: 05
KOMUNA E SHTIMES DHE POPULLSIA E SAJ
Komuna e Shtimes gjendet në skajin perëndimor të Rrafshit të Kosovës dhe shtrihet ndërmjet këtij rrafshi dhe zonës kodrinore-malore të Carralevës, e cila zgjatet deri në Drenicë. Ajo është e kufizuar në juglindje me Komunën e Ferizajt, në verilindje me Komunën e Lipjanit dhe në perëndim me Komunën e Suharekës. Me një sipërfaqe prej 134 km², që përbën rreth 1,2% të territorit të përgjithshëm të Republikës së Kosovës, Komuna e Shtimes përfshin gjithsej 23 vendbanime përfshirë qytetin e Shtimes dhe 22 fshatra. Nga këto, 13 janë të vendosura në pjesën kodrinore-malore, ndërsa 9 në zonën e rrafshët. Qytetin e përshkon lumi Shtimjanja, lumi kryesor i kësaj komune, i cili formohet nga bashkimi i lumenjve Carraleva, Topilla dhe Mollopolci. Ky lumë ka një gjatësi prej rreth 15 km dhe një pellg ujëmbledhës prej 14 km², duke derdhur ujërat e tij në lumin Sitnica në afërsi të Lipjanit. Shtimja gjendet 31 km larg nga Prishtina, 48 km nga Prizreni dhe 13 km nga Ferizaj. Aeroporti Ndërkombëtar “Adem Jashari” në Sllatinë ndodhet 29 km larg. Kjo pozitë e volitshme gjeografike bën që Shtimja të jetë një nyje e rëndësishme lidhëse në relacionet Prizren-Prishtinë dhe Prizren-Shkup. Gjithashtu, komuna lidhet lehtësisht me autostradën “Ibrahim Rugova” në Duhël (20 km larg) dhe me autostradën “Arbën Xhaferi” në dalje të Lipjanit (16 km larg).
Pozita gjeografike e komunës së Shtimes me 1,2 për qind të sipërfaqës që përfshin territorin e gjithmbarshëm të Kosovës
Popullsia dhe arsimi: Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës nga viti 2024, Komuna e Shtimes ka një popullsi prej 24,308 banorësh, nga të cilët 12,197 janë meshkuj dhe 11,877 femra. Prej tyre, 23,533 janë shqiptarë, 732 ashkali, 17 romë, 10 boshnjakë, 1 turk, 1 egjiptian, 8 persona të përkatësive të tjera, ndërsa 6 qytetarë kanë zgjedhur të mos deklarohen për përkatësinë e tyre etnike. Komuna ka një dendësi të popullsisë prej 203.91 banorë/km².
Në aspektin arsimor, Shtimja ka gjithsej 22 objekte shkollore dhe 3 çerdhe publike. Në to mësojnë 4,609 nxënës të niveleve të ndryshme arsimore.
Sporti, rinia dhe kultura: Në komunë veprojnë 19 organizata sportive, 5 organizata rinore dhe 2 organizata kulturore, të cilat kontribuojnë në zhvillimin e jetës sociale dhe kulturore të banorëve.
Kompleksi i Reçakut: Kompleksi memorial i Reçakut, që ndodhet në fshatin me të njëjtin emër, është një nga pikat më të rëndësishme historike dhe simbolike të komunës dhe të gjithë Kosovës. Në janar të vitit 1999, në këtë fshat ndodhi Masakra e Reçakut, ku u vranë 45 civilë shqiptarë nga forcat serbe, një ngjarje që tronditi opinionin ndërkombëtar dhe ndikoi në ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë. Sot, kompleksi përkujton viktimat dhe qëndron si simbol i sakrificës për liri.
Observatori dhe Planetariumi i Kosovës në Rashincë: Një tjetër pikë unike që e veçon Shtimen është prania e Observatorit dhe Planetariumit të Kosovës, që gjendet në fshatin Rashincë. Ky institucion shkencor është i pari i këtij lloji në vend dhe ofron mundësi edukative dhe kërkimore për astronomët dhe të rinjtë e interesuar për shkencën. Ai shërben si qendër edukimi, por edhe atraksion turistik e shkencor për vizitorë nga gjithë vendi.