Kryetari i Komunës, Qemajl Aliu, ka pritur në takim zëvendëspresidentin e Parlamentit Evropian, z.Rainer Wieland.
Në këtë takim, kryetari Aliu fillimisht shprehu mirënjohje dhe falënderim ndaj z.Wieland, për gjithë rolin e tij mbështetës në procesin e avancimit dhe shtetndërtimit të vendit tonë. Gjatë takimit, së bashku me bashkëpunëtorët nga kabineti qeverisës, kryetari Aliu diskutoi për një varg çështjesh dhe shprehu gatishmërinë për bashkëpunim për projekte në nivel lokal, që do t’i shërbenin rritjes së mirëqenies qytetare.
Në anën tjetër, z.Wieland theksoi mundësitë e bashkëpunimit në mes të komunës së Shtimes dhe komunave në qytetet Gjermane, duke shkëmbyer ide dhe praktika që do ta fuqizonin zhvillimin dhe punën e autoriteteve komunale. Gjithashtu, u bisedua për sistemi dual të arsimit profesional, i cili aplikohet suksesshëm në Gjermani, përmes të cilit do të përfitonin studentët duke u punësuar në firma të ndryshme sipas drejtimeve që studiojnë. Çështje me interes, po ashtu përbën mundësia e krijimit të kooperativave bujqësore, që do të lehtësonte organizimin dhe funksionimin e punës së bujqve, sidomos në komunën tonë ku bujqësia është resurs i rëndësishëm për zhvillim ekonomik lokal.
Për fund, kryetari Aliu dhe zëvendëspresidenti Wieland, u dakorduan që të vazhdojnë bashkëpunimin edhe në të ardhmen, me qëllim të implementimit të projekteve, nga të cilat do të përfitonte qytetari shtimjan.