Shtime, 7 mars 2025- Në një ceremoni të organizuar me rastin e Ditës së Mësuesit, kryetari i Komunës së Shtimes, Qemajl Aliu, edhe këtë vit, nderoi me mirënjohje mësimdhënësit e dalluar për kontributin e tyre të çmuar në arsim. Ky vlerësim u bë në shenjë respekti dhe mirënjohjeje për punën e palodhshme të mësuesve në edukimin e gjeneratave të reja.
“Jemi mbledhur për të nderuar dhe vlerësuar ata që me përkushtim, dashuri dhe përpjekje të vazhdueshme e formësojnë të ardhmen tonë, Ju, mësuesit tanë të nderuar. Arsimi është themeli mbi të cilin ndërtohet një shoqëri e fortë dhe e suksesshme, dhe ju jeni ata që çdo ditë investoni dijen dhe përkushtimin tuaj për të ndriçuar mendjet e brezave të rinj. Si komunë, do të vazhdojmë të mbështesim arsimin dhe të krijojmë kushte sa më të mira për punën tuaj fisnike. Kjo mirënjohje është një simbol i respektit dhe falënderimit tonë për ju, për të gjithë mundin dhe sakrificën që bëni për edukimin e brezave të ardhshëm”, tha kryetari Aliu.
Përveç kryetarit të komunës, mirënjohje për mësimdhënësit e dalluar ndanë edhe kryesuesi i Kuvendit të Komunës, Adnan Ademi, si dhe drejtoresha e Arsimit, Yllka Fejzullahu.
“Është një kënaqësi e veçantë që sot, në këtë ditë të rëndësishme, të ndajmë së bashku mirënjohjen për ata që çdo ditë japin më të mirën e tyre për të arsimuar dhe edukuar fëmijët tanë.
Mësuesi nuk është thjesht një transmetues i dijes, por një udhërrëfyes, një inspirim dhe një model për brezat e rinj. Prandaj, puna juaj është e paçmuar dhe e pazëvendësueshme”, tha drejtoresha Fejzullahu.
Në shenjë respekti dhe kujtimi për ata që nuk janë më në mesin tonë, por që kanë dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në arsim, u ndanë edhe mirënjohje post-mortem për mësimdhënësit që me punën dhe përkushtimin e tyre kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në brezat e nxënësve. Këto mirënjohje u pranuan nga familjarët e tyre, të cilët shprehën falënderim për këtë vlerësim të veçantë.