Shtime, 9 mars 2025- Një zjarr ka shpërthyer sot në fshatin Dugë (Karaçicë), por falë ndërhyrjes së shpejtë dhe profesionale të Njësisë së Zjarrfikësve, Policisë, dhe Zyrës për Emergjenca pranë Komunës, zjarri është lokalizuar në kohë dhe situata tashmë është nën kontroll.
Sipas informacioneve paraprake, zjarri rrezikonte të përhapej më tej për shkak të terrenit të thatë, por reagimi i menjëhershëm i autoriteteve ka parandaluar dëme më të mëdha.
Zjarrfikësit kanë vepruar me profesionalizëm për shuarjen e flakëve, Policia e Shtimes ka ndihmuar në sigurimin e zonës dhe parandalimin e rreziqeve të mëtejshme, ndërsa Zyra për Emergjenca ka qenë e angazhuar në koordinimin e operacionit, duke siguruar mbështetje për ekipet në terren dhe vlerësimin e situatës.
Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të jenë të kujdesshëm dhe të raportojnë menjëherë çdo rast zjarri për të parandaluar situata të rrezikshme në të ardhmen.