Shtime, 19 mars 2025- Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, vizitoi sot Komunën e Shtimes, ku u prit nga Kryetari i Komunës, Qemajl Aliu.
Gjatë vizitës, ata bashkërisht inspektuan ecurinë e punimeve në ndërtimin e objektit të ri të komunës, një projekt madhor për zhvillimin e infrastrukturës institucionale lokale.
Ky objekt, me vlerë prej 2.5 milionë euro, është duke u ndërtuar me intensitet të lartë dhe pritet të ofrojë një hapësirë moderne për shërbimet komunale, duke krijuar kushte më të mira për qytetarët dhe administratën.
Përveç rëndësisë institucionale, ky ndërtim bart edhe një vlerë historike të veçantë, pasi do të shërbejë si një vend kujtese për Masakrën e Reçakut, duke nderuar sakrificën dhe të kaluarën tonë.
“Ndërtimi i objektit të ri të komunës është një hap i madh drejt përmirësimit të shërbimeve për qytetarët tanë. Ky objekt do të jetë jo vetëm një qendër moderne administrative, por edhe një simbol i kujtesës historike, duke ruajtur dhe nderuar sakrificën e Reçakut. Jemi të përkushtuar që çdo projekt i tillë të sjellë zhvillim dhe mirëqenie për qytatarët e komunës tonë”, tha kryetari Aliu.
Ministri Sveçla dhe Kryetari Aliu shprehën kënaqësinë për ecurinë e projektit dhe theksuan mbështetjen e Qeverisë së Republikës së Kosovës për këtë investim të rëndësishëm.