Shtime, 26 mars 2025- Dy shkolla të komunës së tonë, ShFMU “Abdullah Shabani” në Carralevë dhe ShFMU “Bajram Curri” në Petrovë, kanë përfituar pajisje laboratorike në vlerë prej 82 mijë eurosh, një investim i rëndësishëm për përmirësimin e cilësisë së arsimit dhe zhvillimin e aftësive praktike të nxënësve.
Për të parë nga afër këto pajisje, laboratoret e Shkollës Fillore dhe të Mesme të Ulët “Abdullah Shabani” në Carralevë i vizituan kryetari i Komunës së Shtimes, Qemajl Aliu, së bashku me nënkryetarin e komunës, Faruk Beqa, drejtoreshën e Arsimit, Yllka Fejzullahu dhe udhëheqësin e sektorit të arsimit Lulzim Sahiti.
“Arsimi cilësor është themeli i çdo shoqërie të zhvilluar. Për këtë arsye, çdo hap drejt pajisjes së shkollave me laboratorë dhe infrastrukturë është investim i drejtpërdrejtë në përgatitjen sa më të mirë të nxënësve tanë për sfidat e së nesërmes. Ne do të vazhdojmë të punojmë me përkushtim për ta bërë çdo shkollë mjedis më të mirë për mësimnxënie dhe mësimdhënie”, tha kryetari Aliu, duke shtuar se pa nga afër gëzimin e nxënësve për pajisjet laboratorike të reja, të cilat po i ndihmojnë ata të zhvillojnë njohuri praktike në lëndët e shkencave natyrore.
Ndërsa, Drejtoresha e Arsimit, Yllka Fejzullahu, vlerësoi këtë investim si një hap të rëndësishëm për përmirësimin e kushteve mësimore në shkollat e Komunës së Shtimes.
“Investimi në laboratorë modernë nuk është vetëm një përmirësim i infrastrukturës, por edhe një mundësi e madhe për nxënësit që të zhvillojnë aftësi praktike dhe të thellojnë njohuritë e tyre në shkencë. Kjo është një dëshmi e angazhimit tonë për të ofruar një arsim cilësor dhe të avancuar”, tha Fejzullahu, duke bërë të ditur se tashmë nxënësit e këtyre shkollave, do të kenë kushte më të mira për zhvillimin e mësimit praktik në lëndët shkencore.