Shtime, 15 prill 2025 – Në kuadër të projektit të rëndësishëm për rindërtimin e kadastrit, në fshatrat Reçak dhe Godanc janë mbajtur takime publike me banorët lokalë. Në këto takime ishin të pranishëm Kryetari i Komunës së Shtimes, Qemajl Aliu, si dhe zyrtarët përgjegjës nga Komuna e Shtimes dhe përfaqësues të Agjencisë Kadastrale të Kosovës.
Takimet informuese u mbajtën në vijim të marrëveshjes së nënshkruar ndërmjet kryetarit Aliu dhe Agjencisë Kadastrale të Kosovës, në kuadër të së cilës Qeveria e Republikës së Kosovës, përmes AKK-së, do të fillojë projektin e Rindërtimit të Kadastrit në zonat kadastrale Godanc dhe Raçak.
Ky projekt ka për qëllim harmonizimin e gjendjes faktike në terren me të dhënat ekzistuese në kadastër, duke sjellë përfitime të mëdha për banorët e zonës, së përfshirë:
-Zyrtarizimi i të drejtave pronësore jo kontestimore mbi pronat e paluajtshme, për rastet e trashëgimive,
-Zyrtarizimi i shitblerjeve të kryera përmes marrëveshjes jo formale/gojore,
-Realizimi i matjeve gjeodezike dhe përgatitja e dosjeve për proces të legalizimit.
Në këto takime u prezantua faza e parë e projektit, takimi informues me banorët, gjatë së cilës qytetarët u njoftuan për planin e rindërtimit, dinamikën e realizimit dhe rëndësinë e projektit. U diskutuan gjithashtu: Obligimet dhe përgjegjësitë e AKK-së, Zyrës Kadastrale Komunale dhe Komunës së Shtimes, Roli i operatorit ekonomik në implementimin e projektit, Të drejtat dhe obligimet e banorëve gjatë procesit të rindërtimit.
Me këtë rast, kryetari Qemajl Aliu, theksoi rëndësinë strategjike të këtij projekti për zhvillimin rural dhe për rregullimin e çështjeve pronësore që kanë qenë sfidë për shumë familje ndër vite.
Të gjitha shërbimet dhe aktivitetet në kuadër të këtij projekti do të realizohen pa pagesë, duke ofruar një mundësi të rëndësishme për qytetarët që të rregullojnë pronat e tyre në mënyrë ligjore dhe të sigurtë.
Komuna e Shtimes inkurajon të gjithë banorët e zonave përfituese që të bashkëpunojnë ngushtë me autoritetet përgjegjëse për realizimin sa më të suksesshëm të këtij projekti madhor.