Shtime, 6 qershor 2025- Me rastin e festës së Kurban Bajramit, Kryetari i Komunës së Shtimes, Qemajl Aliu, ka përcjellë urime për të gjithë qytetarët e komunës, duke theksuar rëndësinë e kësaj feste për forcimin e solidaritetit, mirëkuptimit dhe vlerave njerëzore.
“Të nderuar qytetarë të Komunës sonë,
Të dashur besimtarë myslimanë,
Në emrin tim personal dhe në emër të Komunës së Shtimes, kam kënaqësinë që juve dhe familjeve tuaja me zemër të hapur t’ju drejtohem me urimet më të bukura për festën e Kurban Bajramit.
Kjo ditë e shenjtë na rikujton forcën e sakrificës, pastërtinë e qëllimit dhe nevojën e patjetërsueshme të solidaritetit ndërnjerëzor.
Kjo festë na mëson se vlerat e besnikërisë dhe përulësisë ndaj Zotit e gatishmërisë për të ndihmuar të tjerët janë baza mbi të cilën ndërtohet shoqëria e drejtë dhe humane.
Në këtë ditë të bekuar, siç i kemi të hapura dyert e shtëpive tona, le t’i hapim edhe zemrat tona për familjarët, fqinjtë, miqtë dhe sidomos për ata që kanë më shumë nevojë për përkujdesje, dashuri dhe mbështetje. Askush nuk duhet të mbetet i vetëm, i harruar apo i neglizhuar, sepse fryma e Kurban Bajramit është fryma e bashkimit dhe e gjithëpërfshirjes.
Shtimja është një vend me njerëz punëtorë, bujarë dhe me besim të thellë. Ne kemi trashëguar kulturë të respektit të ndërsjellë, të solidarizimit dhe të ndihmës së ndërsjellë. Andaj, është detyra jonë si institucione e si qytetarë që këtë trashëgimi ta mbajmë gjallë dhe ta fuqizojmë në çdo aspekt të jetës sonë të përbashkët.
Në këto momente feste, lusim Zotin që në çdo familje të mbretërojë shëndeti, gëzimi dhe begatia. Uroj që kjo ditë të na gjejë më të bashkuar për të mos u ndarë e përçarë asnjëherë.
Gëzuar të gjithëve juve e familjeve tuaja Kurban Bajramin”, me këtë urim Kryetari i Komunës së Shtimes, Qemajl Aliu, uron gjithë qytetarët e komunës me rastin e Kurban Bajramit