Shtime, 10 qershor 2025- Në një atmosferë festive, sot u shënua 84 vjetori i themelimit të Shkollës Fillore dhe të Mesme të Ulët “Emin Duraku” në Shtime.
I pranishëm në këtë ngjarje ishte edhe kryetari i Komunës së Shtimes Qemajl Aliu, udhëheqësi i sektorit të Arsimit në Komunën e Shtimes, Lulzim Sahiti, drejtoresha e Shkollës Fillore “Emin Duraku”, Floreta Abazi, drejtori i Shkollës së Mesme të Ulët “Emin Duraku”, Enver Dugolli, mësimdhënës, prindër dhe qytetarë të shumtë që ndanë bashkërisht këtë ditë të rëndësishme.
Kryetari i Komunës së Shtimes, Qemajl Aliu, tha se kjo është shkolla e parë shqipe në komunën tonë, e kjo ngjarje na kujtoi më së miri rolin e jashtëzakonshëm që ka luajtur kjo shkollë në historinë e arsimit shqip në Shtime.
“Kënaqësi e veçantë që këtë mëngjes e nisa duke marrë pjesë në festimet e ditës së shkollës ‘Emin Duraku’, fillimisht me shkollën fillore dhe më pas edhe me atë të mesme të ulët.
Kjo ceremoni e shënoi 84-vjetorin e themelimit të shkollës që njëherit nënkupton edhe se kjo është shkolla e parë shqipe në Komunën tonë, e kjo ngjarje na kujtoi më së miri rolin e jashtëzakonshëm që ka luajtur kjo shkollë në historinë e arsimit shqip në Shtime”, tha kryetari Aliu duke shprehur mirënjohje për të gjithë kontribuesit në suksesin e kësaj dite.
“Falënderim i sinqertë të gjithëve që kontribuan në suksesin e kësaj dite të paharrueshme: nxënësve për përkushtimin dhe talentin e tyre, mësuesve për udhëzimet e tyre, prindërve për mbështetjen e pandërprerë dhe të gjithë qytetarëve që e çmojnë dhe e mbajnë të gjallë trashëgiminë e këtyre shkollave të dalluara në suksese”, tha kryetari Aliu.
Në kuadër të shënimit te ditës së shkollës, nxënësit kishin përgatitur një program të pasur kulturo-artistik, përmes të cilit shpalosën talentin, kreativitetin dhe dashurinë e tyre për arsimin dhe trashëgiminë kombëtare.