Shtime, 11 qershor 2025- Kryetari i Komunës së Shtimes, Qemajl Aliu, së bashku me bashkëpunëtorët e tij, mori pjesë në shënimin e Ditës së Shkollës “Skënderbeu” në fshatin heroik të Reçakut.
Kjo vatër e dijes, që nga viti 1956, ka qenë udhërrëfyese për breza të tërë, duke ruajtur vlerat e arsimit dhe të qëndresës në një vend me histori, lavdi e heroizëm.
“Që prej vitit 1956, kjo vatër arsimore ka ndriçuar rrugëtimin e dijes për breza të tërë të këtij fshati me histori, qëndresë, lavdi e heroizëm”, tha kryetari Aliu, duke ndarë me qytetarët e Reçakut edhe një lajm të rëndësishëm për të ardhmen e shkollës, atë të ndërtimit të sallës së sportit, projekt me vlerë prej afër 300,000 euro, që do t’u ofrojë nxënësve kushte më të mira për zhvillimin fizik, aktivitetet shkollore dhe nismat sportive.
Kryetari Aliu gjithashtu vlerësoi lartë angazhimin e stafit arsimor dhe kontributin e vazhdueshëm të tyre.
“Respekt e mirënjohje për punën e jashtëzakonshme të mësimdhënësve dhe të drejtorit të shkollës, Skënder Bajrami, si dhe për mbështetjen e vazhdueshme të prindërve”, tha kryetari Aliu.
Në përmbyllje të shënimit të ditës së shkollës nxënësit kishin përgatitur një program të pasur kulturor që u mirëprit me duartrokitje nga mësimdhënësit, prindërit dhe qytetarët e pranishëm.