Shtime, 12 qershor 2025- Në Shtëpinë e Kulturës në Shtime, është mbajtur sot ceremonia solemne e ndarjes së mirënjohjeve për nxënësit dhe shkollat fituese në Garën Komunale të Diturisë 2025.
Ceremonia mori një kuptim edhe më të veçantë, pasi u organizua në ditën kur komuna jonë shënon 26-vjetorin e çlirimit nga okupatori serb, duke e kthyer këtë ditë në një festë të dijes dhe të kujtesës historike.
Në këtë ngjarje morën pjesë nënkryetari i Komunës së Shtimes, Faruk Beqa, kryesuesi i Kuvendit Komunal, Adnan Ademi, dhe udhëheqësi i Sektorit të Arsimit, Lulzim Sahiti, drejtues shkolle, mësimdhenës, nxënës, prindër e qytetarë.
Në fjalën e tij drejtuar të pranishmëve, Lulzim Sahiti përgëzoi nxënësit për sukseset e arritura dhe falënderoi mësimdhënësit e drejtuesit e shkollave për përkushtimin e tyre, duke theksuar mbështetjen institucionale në vazhdimësi.
“Të rinjtë tanë janë pasqyra më e mirë e të ardhmes sonë. Një shoqëri që investon në dije është një shoqëri që ndërton themele të forta për zhvillim e progres. Në emër të kryetarit të Komunës së Shtimes, z. Qemajl Aliu, dhe në emer timin, falënderoj të gjithë mësimdhënësit, nxënësit dhe shkollat për angazhimin shembullor në këtë garë”, tha Sahiti.
Mirënjohjet për nxënësit dhe shkollat fituese u ndanë nga nënkryetari Faruk Beqa dhe kryesuesi i Kuvendit, Adnan Ademi, të cilët përgëzuan të gjithë pjesëmarrësit për angazhimin dhe suksesin e treguar.
Në vazhdim të ceremonisë, u shpërblyen shkollat më të dalluara sipas rezultateve të arritura në garë:
Vendin e parë e fitoi Shkolla Fillore e Mesme e Ulët “Emin Duraku” nga Shtimja. Shpërblimi iu dorëzua drejtorit të shkollës, Enver Dugollit, ndërsa më pas u nderuan edhe nxënësit fitues të kësaj shkolle.
Vendin e dytë e zuri Shkolla “Abdullah Shabani” nga Carraleva. Shpërblimi iu dorëzua drejtorit, Faton Ahmetit, i cili ndau edhe mirënjohjet për nxënësit fitues të shkollës së tij.
Vendet e treta u ndanë për disa shkolla që treguan rezultate të larta:
Shkolla “Bajram Curri” nga Petrova, përfaqësuar nga drejtori Alban Rashiti.
Shkolla “Skënderbeu” nga Reçaku, përfaqësuar nga drejtori Skender Bajrami.
Shkolla “Lasgush Poradeci” nga Muzeqina, përfaqësuar nga drejtori Adil Qorrolli.
Shkolla “Idriz Ajeti” nga Pjetërshtica, përfaqësuar nga drejtori Lutfi Gashi.
Përveç mirënjohjeve për dijen, ceremonia u pasurua edhe me një program artistik nga nxënësit e shkollave pjesëmarrëse.
Kontribut të rëndësishëm në mbarëvajtjen e kësaj gare dha edhe zyrtarja nga Drejtoria e Arsimit, Tringa Xhelili, me angazhimin e saj profesional në organizim të rregullt, transparent dhe gjithëpërfshirës të garës.
Gara e këtij viti u zhvillua më 14 maj 2025, duke përfshirë gjithsej 215 nxënës nga të gjitha shkollat e mesme të ulëta të komunës sonë.
Nxënësit garuan në nëntë lëndë mësimore: Gjuhë shqipe, Gjuhë angleze, Gjeografi, Histori, Matematikë, Biologji, Fizikë, Kimi dhe Teknologji Informative. Testit të diturisë iu nënshtruan nxënësit nga klasat e gjashta deri në të nëntat, ndërsa 173 prej tyre u shpallën fitues të vendeve të para, të dyta dhe të treta.