Shtime, 13 qershor 2025- Është mbajtur sot takimi i radhës i Mekanizmit Koordinues Lokal për Mbrojtjen nga Dhuna në Familje, i cili kishte në fokus ngritjen e kapaciteteve të këtij mekanizmi.
Takimin e udhëhoqi nënkryetari i Komunës së Shtimes, Faruk Beqa, i cili theksoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe nevojën për angazhim të vazhdueshëm në mbrojtjen e viktimave të dhunës në familje.
“Puna jonë duhet të jetë e përqendruar në zgjidhje konkrete dhe ndihmë të drejtpërdrejtë për viktimat. Mbrojtja nga dhuna në familje nuk është vetëm detyrim institucional, por edhe moral”, tha nënkryetari Beqa.
Në takim morën pjesë përfaqësues nga institucionet kyçe në nivel lokal dhe rajonal. Prokurori i Prokurorisë Themelore në Ferizaj, Avdullah Abedini, ndau me të pranishmit informacione rreth obligimeve ligjore që institucionet kanë në raport me viktimat e dhunës në familje dhe theksoi rëndësinë e zbatimit të tyre në praktikë.
Ndërsa nga Policia e Kosovës, Drita Bytyqi, foli për situatën aktuale sa i përket rasteve të dhunës dhe për mënyrën e trajtimit të viktimave nga ana e policisë, duke theksuar rëndësinë e reagimit të shpejtë dhe profesional në çdo rast.
Një ndër çështjet e theksuara gjatë takimit ishte edhe mungesa e psikologëve nëpër institucione të ndryshme, që paraqet një sfidë për ofrimin e mbështetjes emocionale dhe rehabilitimin e viktimave.