Shtime, 3 korrik 2025- Kryetari i Komunës së Shtimes, Dr.Qemajl Aliu, ka vizituar familjarët e dëshmorëve të cilët po qëndrojnë për rehabilitim në Banjë, si pjesë e aktiviteteve të organizuara nga Komuna e Shtimes në shenjë kujtimi dhe respekti për sakrificën e tyre.
Në këtë vizitë ishin të pranishëm edhe drejtoresha për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, Mimoza Salihu-Qeriqi, dhe drejtori i Qendrës për Punë Sociale, Adem Ramadani, të cilët së bashku me Kryetarin Aliu biseduan me familjarët e dëshmorëve, duke ndarë me ta momente të ngrohta, kujtime dhe falënderime për kontributin dhe qëndresën e tyre.
“Sonte isha për çaj bashkë me familjet e dëshmorëve që po qëndrojnë në Banjë, në një aktivitet rehabilitues të organizuar nga Komuna jonë. Me zemër plot mirënjohje ua shprehim nderimin e përhershëm për sakrificën dhe qëndresën e tyre”, tha kryetari Aliu.
Gjithashtu, disa javë më parë, një grup tjetër i familjarëve të dëshmorëve, me mbështetje të Komunës së Shtimes, u dërgua për rehabilitim dhe pushim në bregdetin shqiptar.