Kuvendi i Komunës së Shtimes mbajti mbledhjen e VII-të me radhë, Kryetari Qemajl Aliu prezantoi Raportin Gjashtëmujor të Ekzekutivit
Shtime, 7 korrik 2025- Nën udhëheqjen e kryesuesit të Kuvendit të Komunës së Shtimes, Adnan Ademi, është mbajtur sot, mbledhja e VII-të me radhë e Kuvendit të Komunës, në të cilën mori pjesë edhe kryetari i Komunës, Qemajl Aliu, bashkë me drejtoret e ekzekutivit.
Mbledhja filloi me miratimin e ekstrakt-procesverbalit nga mbledhja e kaluar, për të vazhduar me pikën kryesore të rendit të ditës, prezantimin e Raportit të Përgjithshëm Gjashtemujor të Punës së Ekzekutivit të Komunës, nga kryetari Qemajl Aliu.
Në raportimin para kuvendit, kryetari Aliu prezantoi në mënyrë të detajuar punët, projektet dhe investimet e realizuara gjatë periudhës janar-qershor 2025, duke u ndalur veçanërisht në fushat si infrastruktura, ku përmendi ndërtimin dhe asfaltimin e shumë rrugëve, investime në sistemin e ujësjellësit dhe kanaleve kulluese si dhe ndërhyrje për përmirësimin e hapësirave publike.
Investime në objekte shkollore, rregullim i infrastrukturës nëpër shkolla, furnizimi me laboratorë adekuatë dhe mbështetje për projekte të ndryshme.
Fillimi i ndërtimit të objektit të ri të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Shtime, një projekt madhor që synon avancimin e shërbimeve shëndetësore për të gjithë qytetarët, si dhe fillimi i ndërtimit të Entit Special, institucion ky i rëndësishëm për ofrimin e kujdesit dhe shërbimeve sociale për kategoritë në nevojë.
Funksionalizimin e çerdhes për fëmijët në qytetin e Shtimes, si dhe ndërtimin e çerdhes së re në fshatin Godanc, e cila është thuajse në përfundim, një investim që do të zgjerojë kapacitetet e kujdesit dhe edukimit të hershëm në komunën tonë.
“Kemi punuar intensivisht për realizimin e projekteve të rëndësishme për qytetarët, me fokus në rritjen e cilësisë së jetës, zhvillimin e infrastrukturës dhe forcimin e shërbimeve publike. Synimi ynë është një Shtime më funksionale, më moderne dhe më e mirë për të gjithë qytetarët e komunes tonë”, tha kryetari Aliu.
Pas prezantimit, asambleistët patën mundësinë të diskutojnë, të shprehin mendimet, shqetësimet dhe sugjerimet e tyre në lidhje me raportin dhe punën e ekzekutivit.
Në fund të diskutimeve, Raporti Gjashtemujor i Punës së Ekzekutivit u miratua me shumicë votash nga anëtarët e Kuvendit.
Në vazhim të mbledhjes, u prezantua edhe Informata nga Këshilli Komunal për Siguri në Bashkësi (KKSB) për gjashtëmujorin e parë të vitit 2025, ku pyetjeve të asambleistëve iu përgjigj nënkryetari i Komunës, Faruk Beqa.
Mbledhja u përmbyll me pikën e zakonshme të Pyetje-Përgjigje, ku asambleistët parashtruan pyetje, për disa prej të cilave u dhanë përgjigje nga ekzekutivi edhe gjatë mbledhjes.