Shtime, 26 korrik 2025- Me nderim dhe krenari, kujtojmë dëshmorin e parë të Komunës së Shtimes, Ruzhdi Salihu, në 27 vjetorin e rënies së tij heroike në luftë për liri.
Që në rini, Ruzhdiu ishte pjesë aktive e protestave dhe demonstratave kundër regjimit okupator serb. Shkathësia, vendosmëria dhe përkushtimi i tij e bënë shënjestër të vazhdueshme të policisë së Shtimes, që në vitin 1993 e arrestuan dhe e torturuan mizorisht, duke e dënuar për armëmbajtje pa leje.
Me fillimin e luftës çlirimtare, në prill të vitit 1998, ai u lidh me strukturat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në zonën e Caralevës dhe Krojmirit, ku u pranuar si luftëtar i lirisë.
Shtëpia e tij në Zborc shpejt u bë pikë bazë e UÇK-së në fshat. Më 1 korrik 1998, Ruzhdiu bashkë me dhjetëra luftëtarë bëri betimin para komandantëve, duke u rreshtuar në Togën e Parë të luftës, në “Kodrën e Hanit”.
Në ofensivën e 26 korrikut 1998, forcat serbe sulmuan me intensitet të lartë. Në përballjen e drejtpërdrejtë me armikun, Ruzhdi Salihu ra heroikisht, duke dhënë jetën për lirinë e atdheut.
Sot kujtojmë me nder dhe përulje veprën dhe sakrificën e Ruzhdi Salihut, simbol i qëndresës, guximit dhe dashurisë për atdhe.
Lavdi e përjetshme!
Emri dhe gjaku i tij do të jetojnë përjetë në historinë tonë kombëtare!