Shtime, 14 gusht 2025- Me kërkesë të Kryetarit të Komunës së Shtimes, Dr. Qemajl Aliu, dhe pas ankesave nga qytetarët, në Komunën e Shtimes u mbajt takimi i radhës për shqyrtimin dhe adresimin e problemit të furrave gëlqerore, të cilat përdorin goma të automjeteve jashtë përdorimit si lëndë djegëse, duke shkaktuar ndotje të ajrit dhe rrezik për shëndetin publik.
Në takim morën pjesë: Nënkryetari i Komunës së Shtimes, Faruk Beqa, Drejtori i Drejtorisë së Shërbimeve Publike, Bardhyl Rushiti, Kryeinspektori në Ministrinë e Mjedisit, Elbasan Shala, Përfaqësues të Njësisë së Hetimeve Mjedisore, Fisnik Kozniku dhe Hasan Krasniqi, Shefi i Hetimeve pranë Stacionit Policor në Shtime, Afrim Olluri, dhe Inspektorja e Mjedisit, Albulenë Emini.
Nënkryetari Beqa theksoi se, pavarësisht gjobave dhe masave ndëshkuese të ndërmarra nga institucionet komunale, pronarët e furrave vazhdojnë aktivitetin e tyre të paligjshëm. Ai rikujtoi se ky problem ka vite që është prezent dhe ndëshkimet e deritanishme nuk kanë rezultuar efektive.
Kryeinspektori Shala propozoi kalimin nga djegia e gomave në përdorimin e druve si alternativë, duke sugjeruar intensifikimin e gjobave dhe ndjekjen e procedurave penale ndaj shkelësve.
Përfaqësues nga Njësia e Hetimeve Mjedisore kërkuan mbledhjen e provave të mjaftueshme, matjen e nivelit të ndotjes së ajrit dhe dokumentimin e burimeve të materialeve.
Gjatë takimit u koordinuan veprimet mes institucioneve lokale dhe atyre qendrore, me qëllim ndërprerjen e këtij aktiviteti të ndaluar.
Si rezultat, menjëherë pas takimit, Inspektorati Komunal në bashkëpunim me Policinë e Kosovës vendosën shirita bllokues në dy furra gëlqerore në fshatrat Dugë dhe Karaçicë.