Shtime, 5 shtator 2025- Nënkryetari i Komunës së Shtimes, Faruk Beqa, zhvilloi një vizitë së bashku me përfaqësuesit e KFOR-it Turk, me të cilët komuna ka marrëveshje mirëkuptimi për largimin dhe groposjen e mbeturinave ilegale.
“Në bashkëpunim me KFOR-in Turk, po ndërmarrim hapa konkretë. Mbrojtja e mjedisit është përgjegjësi e përbashkët dhe kërkon angazhim të të gjithëve. Prandaj, apeloj tek qytetarët tanë që të mos hedhin mbeturina në vende të palejuara, por t’i respektojnë rregullat për një ambient më të pastër e më të shëndetshëm”, tha nënkryetari Beqa.
Sipas nënkryetarit Beqa, aktualisht janë identifikuar rreth 10 deponi ilegale në fshatrat Rashincë, Gllavicë, Vojnoc, Pjetërshticë, si dhe në vende të tjera, ku do të punohet në sanimin dhe pastrimin e tyre.
Ky bashkëpunim synon të adresojë problemin e deponive të krijuara nga hedhja e pakontrolluar e mbeturinave nga qytetarë dhe biznese në zona të ndryshme të komunës.