Shtime, 9 shtator 2025- Komuna e Shtimes ka vazhduar sot procesin e dëgjimeve publike për hartimin e buxhetit për vitin 2026. Takimi u mbajt në Sallën e Kuvendit Komunal me pjesëmarrjen e Organizatave, Klubeve Sportive, Bizneseve dhe qytetarëve.
Në këtë takim morën pjesë edhe Kryetari i Komunës, Dr. Qemajl Aliu, Kryesuesi i Kuvendit, Adnan Ademi, dhe Drejtori i Financave, Besnik Ahmeti.
Në fjalën e tij, kryetari Aliu tha se buxheti tashmë është në fazën përfundimtare dhe pritet të miratohet në mbledhjen e ardhshme të Kuvendit Komunal. Ai shtoi se dëgjimet buxhetore janë një mundësi e rëndësishme për të kuptuar më mirë nevojat dhe prioritetet e grupeve të ndryshme të interesit, si dhe për të reflektuar propozimet e reja që dalin nga këto takime.
Gjatë diskutimeve, pjesëmarrësit falënderuan kryetarin për investimet e deritanishme, ndërsa paraqitën kërkesa dhe ide të reja, kryesisht në fushat e agroturizmit, subvencionimeve dhe infrastrukturës.
Ky takim shënoi edhe dëgjimin e fundit buxhetor në kuadër të planifikimit të buxhetit të Komunës së Shtimes për vitin 2026.