Shtime, 18 shtator 2025- Në kuadër të Ditës së Rinisë, Komuna e Shtimes, në bashkëpunim me Ansamblin “Ilirida”, organizoi në Qendrën Rinore një aktivitet të veçantë, te mbushur me muzikë, lojëra dhe argëtim kushtuar të rinjve të komunës sonë.
I pranishëm në këtë aktivitet ishte edhe Kryetari i Komunës së Shtimes, Dr. Qemajl Aliu, i cili tha se fuqia e qytetit tonë qëndron te të rinjtë e saj.
“Jam krenar për secilin prej tyre dhe do të vazhdojmë t’i mbështesim me projekte konkrete dhe plane afatgjata, që zëri i rinisë të dëgjohet dhe të ketë hapësirë në vendimmarrje. Energjia, kreativiteti dhe angazhimi i tyre i duhen Shtimes”, tha kryetari Aliu, duke falenderuar veçanërisht Ansamblin “Ilirida”, të cilët me talentin dhe përkushtimin e tyre kanë përfaqësuar me dinjitet rininë e Shtimes, duke arritur suksese kombëtare e ndërkombëtare.
Kujtojmë se aktivitetet e Ditës së Rinisë do të vazhdojnë më 25 dhe 26 shtator, në sheshin e qytetit “Ahmet Shtimja”, ku do të hapet edhe Ekspozita Ndërkombëtare e Karikaturës, organizuar nga Shoqata e Karikaturistëve “Hithi”.