Shtime, 25 shtator 2025- Në kuadër të aktiviteteve për 17 Shtatorin, Ditën e Rinisë së Shtimes, sot në ambientet e Shtëpisë së Kulturës në Shtime u hap Ekspozita Ndërkombëtare e Karikaturës, organizuar nga Shoqata e Karikaturistëve HiTHi 2025.
Në hapjen e kësaj ekspozite mori pjesë edhe Kryetari i Komunës së Shtimes, Dr. Qemajl Aliu, i cili e cilësoi këtë aktivitet si një ngjarje të veçantë kulturore për qytetin e Shtimes.
“Në Shtëpinë e Kulturës patëm kënaqësinë të mirëpresim një aktivitet të veçantë në kuadër të 17 Shtatorit, Ditës së Rinisë së Shtimes, pjesë e Festivalit Ndërkombëtar të Karikaturës, HiTHi 2025.
Në këtë ngjarje u zhvillua diskutimi për krijimtarinë e karikaturistit të njohur Ramadan Zaplluzha, ‘Therrë Murrizi’, si dhe u hap ekspozita e tij”, tha kryetari Aliu, duke ftuar qytetaret që t’a vizitojnë ekspozitën dhe artin e veçantë të karikaturës, që sot e bëri Shtimen pjesë të një festivali ndërkombëtar
Ekspozita do të qëndrojë e hapur për vizitorë edhe nesër, në Shtëpinë e Kulturës në Shtime, duke ofruar një mundësi të rrallë për të shijuar artin e karikaturës.