Shtime, 4 tetor 2025- Sot ka filluar rrënimi i objektit përpara Komunës së Shtimes, duke i hapur rrugë realizimit të një projekti kapital për qytetin tonë, ndërtimit të sheshit qendror, pedonales dhe parkingut nëntokësor, projekt ky që do të kushtojë rreth 3 milionë euro.
Ky investim madhor do ta transformojë qendrën e Shtimes në një hapësirë moderne, funksionale dhe atraktive për qytetarët.
Me këtë rast, Kryetari i Komunës së Shtimes, Dr. Qemajl Aliu, tha se kjo do ta bëjë qendrën e qytetit më funksionale, më të gjelbëruar dhe më tërheqëse.
“Në vendin ku sot po rrënojmë objektin, së shpejti do të ndërtohet një shesh modern për qytetarët, një pedonale e gjelbëruar dhe një parking nëntokësor që do të lehtësojë qarkullimin. Ky projekt do t’i japë qendrës së Shtimes pamjen që e meriton dhe do të shërbejë si hapësirë e re për aktivitetet e përditshme të qytetarëve”, tha kryetari Aliu.