Shtime, 9 tetor 2025- Pas zgjerimit të shtratit të lumit “Shtimjanja”, punimet janë duke vazhduar me ritme të shpejta në rregullimin e tij përgjatë gjithë gjatësisë së tij, duke përfshirë qytetin e Shtimes e edhe fshatrat Petrovë, Reçak, Belinc, Davidoc, Rashincë, Muzeqinë dhe Vojnoc.
Kryetari i Komunës së Shtimes, Dr. Qemajl Aliu, tha se ky projekt madhor pritet t’i japë lumit pamjen dhe funksionalitetin që qytetarët e Shtimes e kanë pritur prej kohësh.
“Së shpejti, qytetarë e komunës sonë do ta kenë një shtrat lumi të rregulluar, të pastër dhe një hapësirë që do të shtojë bukurinë natyrore të qytetit dhe fshatrave. Kjo do të ndikojë drejtpërdrejt në përmirësimin e cilësisë së jetës për banorët”, tha kryetari Aliu.
Projekti, në fazat e tij, kap vlerën e mbi 7 milionë eurove, duke përfshirë punime infrastrukturore që parandalojnë ndotjet dhe dëmet materiale, veçanërisht në tokat bujqësore përreth lumit “Shtimjanja”.