Shtime, 11 tetor 2025- Kanë filluar punimet për rregullimin e Varrezave të Dëshmorëve, një projekt i shumëpritur që shënon një hap të rëndësishëm në kujdesin dhe nderimin ndaj atyre që sakrifikuan jetën për lirinë e vendit.
Ky projekt madhor, është mbështetur nga Agjencia për Menaxhim të Memorialeve të Kosovës dhe Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Komuna e Shtimes.
Kryetari i Komunës, Dr. Qemajl Aliu, tha se, që nga muaji qershor, kur u përfundua projektimi, kemi pritur me padurim ditën e nisjes së këtij projekti kaq të rëndësishëm dhe të shumëpritur.
“Jam thellësisht i lumtur dhe njëkohësisht i emocionuar që sot nisëm punimet për rregullimin e Varrezave të Dëshmorëve të Shtimes. Në prani të familjarëve të dëshmorëve, veteranëve dhe përfaqësuesve të shoqatave të dala nga lufta, e filluam këtë projekt të rëndësishëm, i mbështetur nga Agjencia për Menaxhim të Memorialeve të Kosovës. Kurse, në vitin tjetër fillon puna për rregullimin e varrezave të veteranëve, si fazë e dytë e këtij projekti”, tha kryetari Aliu.
Projekti përfshin: Hapësira të reja gjelbëruese, Sistem ujitjeje pikë më pikë, Rregullim të parkingjeve, Vendosje ulësesh për vizitorë, Qasje më të lehtë dhe dinjitoze në kompleks
Këto ndërhyrje do ta shndërrojnë këtë hapësirë të shenjtë në një vend nderimi edhe më të denjë, duke krijuar kushte më të mira për vizitorët dhe familjarët e dëshmorëve.
“Dëshmorët tanë i nderojmë jo vetëm me kujdesin për vendin e prehjes së tyre, por mbi të gjitha duke e mbajtur të gjallë kujtimin dhe veprën e tyre në çdo hap të këtij vendi që ata e mbrojtën me gjakun e vet”, tha kryetari Aliu.
Projekti për rregullimin e Varrezave të Dëshmorëve nuk është vetëm një projekt ndërtimor, por një akt nderimi zyrtar dhe institucional ndaj atyre që dhanë jetën për liri.