Shtime, 16 tetor 2025- Dëshmori i lirisë Jetë Hasani kujtohet sot, më 16 tetor 2025, në 27 vjetorin e rënies së tij heroike. Ai ishte një ndër figurat më të shquara të qëndresës dhe arsimit në komunën e Shtimes.
Që në vitet ’90, përballë dhunës së pushtuesit, Jetë Hasani nuk u dorëzua. Përkundrazi, ai veproi me guxim, duke kontribuar në arsim e atdhedashuri.
Me vetfinancim ndërtoi dy shtëpi-shkolla, ku më 3 shtator 1995 nisi mësimi për nxënësit, një akt ky që dëshmoi përkushtimin e tij ndaj dijes dhe brezave të rinj.
Me nisjen e luftës, u rreshtua në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, si komandant i njësive të para në Shtime. Ai dha kontribut të madh në Krojmir, Carralevë dhe zona të tjera të luftës, duke u bërë shembull i trimërisë dhe i sakrificës.
Në krye të detyrës, për lirinë e atdheut, Jetë Hasani ra më 16 tetor 1998, në rrugën Shalë-Magurë.
Në këtë ditë përkujtimi, përulemi me nderim para veprës së tij dhe të gjithë dëshmorëve të kombit.
Lavdi përjetë dëshmorit Jetë Hasani!
Lavdi dëshmorëve të lirisë!