Shtime, 22 tetor 2025- Po vazhdojnë punimet për fazën e dytë të projektit për ndërtimin e 3 kilometrave të kanaleve kulluese në fshatin Godanc, investim kapital me vlerë afro 500 mijë euro.
Kjo fazë do të mbulojë 25 hektarë tokë bujqësore, duke adresuar një problem të kahershëm të përmbytjeve nga ujërat atmosferike, që kanë prekur fushat e kësaj zone sidomos gjatë stinëve të pranverës dhe vjeshtës.
Ky projekt është vazhdimësi e fazës së parë, në të cilën janë ndërtuar 2 kilometra kanale kulluese, ndërsa në fazën e tretë pritet të realizohet lidhja përfundimtare e gjithë rrjetit kullues, duke garantuar funksionalitet të plotë dhe qëndrueshmëri afatgjatë në mbështetje të fermerëve.