Shtime, 28 tetor 2025- Në praninë e qytetarëve, familjarëve, zyrtarëve komunalë dhe dashamirëve të librit, në ambientet e Shtëpisë së Kulturës në Shtime u promovua libri i autores Labinota Halimi, me titull “Bëhu kaktus i vetvetes”.
Në këtë promovim ishte i pranishëm edhe nënkryetari i Komunës së Shtimes, Faruk Beqa, i cili përgëzoi autoren për përkushtimin e saj në fushën e krijimtarisë letrare.
“Këto janë vlera që ne si qytetarë i vlerësojmë shumë dhe i shohim si frymëzim për brezat e rinj. Kultura dhe letërsia janë pasuri e përbashkët shpirtërore, dhe autorja e këtij libri jep një kontribut të çmuar në pasurimin e jetës sonë kulturore përmes fjalës së shkruar”, tha nënkryetari Beqa.
Autorja Labinota Halimi falënderoi të pranishmit për pjesëmarrjen në këtë ditë të veçantë, duke theksuar se libri “Bëhu kaktus i vetvetes” është një udhëtim shpirtëror që mëson se ka jetë edhe pas humbjeve. “Në secilin nga 25 titujt e librit, lexuesit mund ta gjejnë veten, sepse ky libër nuk është vetëm i imi, por edhe i tyre”, tha autorja Labinota Halimi.
Ndërkaq, redaktori i librit, Berat Armagedoni, tha se në çdo faqe lexuesi gjen një pjesë të vetes, një kujtim, një ndjenjë apo një dashuri të harruar.
“Në një kohë kur fjala shpesh humb vlerën e saj, ky libër e rikthen atë në rolin e saj më fisnik, si mjet shërimi dhe kuptimi. ‘Bëhu kaktus i vetvetes’ është një ftesë për pranim, qëndrueshmëri dhe dashuri”, tha Armagedoni.