Shtime, 17 nëntor 2025 – Drejtoria Komunale e Arsimit, në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, përkatësisht Divizionin e Kurrikulave dhe Teksteve Shkollore, ka zhvilluar sot një takim pune me kryetarët e aktivit të mësuesve të klasave 1–5. Qëllimi i punëtorisë ishte mbledhja e informatave kthyese për të gjitha tekstet shkollore që përdoren në procesin mësimor për vitin shkollor 2025/2026.
Takimin e hapi udhëheqësi i Sektorit të Arsimit, Lulzim Sahiti, i cili theksoi rëndësinë e vlerësimeve nga terreni për përmirësimin e vazhdueshëm të cilësisë së teksteve. Ai njoftoi mësimdhënësit e pranishëm për objektivat e punëtorisë, duke theksuar se komentet dhe sugjerimet e tyre janë thelbësore për procesin e rishikimit dhe përzgjedhjes së materialeve mësimore.
Gjatë punëtorisë, mësuesit paraqitën vërejtjet, idetë dhe rekomandimet e tyre për tekstet e secilës lëndë, duke u fokusuar në përmbajtjen, qartësinë, qasjen metodike dhe përshtatshmërinë me kurrikulën. Po ashtu, u bë krahasimi dhe verifikimi i katalogut të teksteve të përzgjedhura nga mësuesit me katalogun e pranuar nga MAShTI, me qëllim harmonizimin e listave përfundimtare.
Në punëtori morën pjesë edhe përfaqësueset e Ministrisë së Arsimit: Besarta Balaj, Leonora Krasniqi dhe Driana Sogojeva, zyrtare të larta për planprograme dhe tekste shkollore, të cilat dhanë sqarime profesionale dhe mbështetje lidhur me procesin e përzgjedhjes së teksteve.
Takimi u vlerësua si një hap i rëndësishëm drejt përmirësimit të cilësisë së teksteve shkollore dhe sigurimit të materialeve më të mira për nxënësit e ciklit fillor.




