Shtime, 27 nëntor 2025- Sonte, në Shtëpinë e Kulturës në Shtime, nxënësit e Gjimnazit “Naim Frashëri” prezantuan një program të pasur kulturor e artistik me rastin e 28 Nëntorit, Ditës së Flamurit.
Përmes recitimeve, interpretimit artistik dhe paraqitjeve tematike, ata sollën një atmosferë festive dhe atdhetare, duke shënuar këtë ditë me nder e dinjitet.
Të pranishëm në këtë aktivitet ishin Nënkryetari i Komunës, Faruk Beqa, udhëheqësi i Sektorit të Arsimit, Lulzim Sahiti, drejtori i gjimnazit, Rexhep Hasani, mësimdhënës, prindër dhe qytetarë të shumtë.
“28 Nëntori është dita jonë e krenarisë kombëtare, dita që na kujton sakrificën, mençurinë dhe vendosmërinë e burrave e grave që ndezën dritën e lirisë.
Sot kujtojmë me nder jo vetëm themeluesit e shtetit shqiptar, por edhe të gjithë ata që në të gjitha kohërat, përfshirë edhe luftëtarët tanë të UÇK-së, sakrifikuan që flamuri kuqezi të valojë me dinjitet.
Kjo ditë na rikujton edhe rrënjët tona, identitetin tonë, dhe përgjegjësinë që kemi për ta ruajtur e përforcuar trashëgiminë kombëtare”, tha nënkryetari Beqa.
Po ashtu, drejtori i gjimnazit, Rexhep Hasani, falënderoi nxënësit, mësimdhënësit dhe të pranishmit, duke vlerësuar përkushtimin dhe punën e përbashkët që bëri të mundur organizimin e një feste kaq dinjitoze.
Në përmbyllje të programit, të pranishmit vizituan edhe ekspozitën e përgatitur nga nxënësit, ku u prezantuan punime artistike të realizuara enkas për këtë ditë të rëndësishme.