Shtime, 13 dhjetor 2025 – Pas përfundimit të Olimpiadave Matematikore Shkollore, nën përkujdesjen e Drejtorisë Komunale të Arsimit, në Shkollën Fillore “Emin Duraku” është organizuar Olimpiada Matematike në nivel Komunal, ku kanë marrë pjesë 57 nxënës të klasave të VII, VIII, IX, X, XI dhe XII.
Udhëheqësi i Sektorit të Arsimit, Lulzim Sahiti, ka deklaruar se procesi i Olimpiadës ka shkuar mjaft mirë, ndërkaq ka theksuar se Shtimja po vazhdon të jetë shembull i organizimit cilësor të garave në lëndë të ndryshme mêsimore. Ai bëri të ditur se nxënësit pjesëmarrës për rezultatet do të njoftohen të hënën, më 15 dhjetor 2025.
Për mbarëvajtjen e Olimpiadës Matematike Komunale u përkujdesën: Koordinatori i OMK-së, Adil Qorrolli së bashku me dy mësimdhënëset, Shpresa Halimi dhe Ardiana Sopaj.
Ne bazë të kriterit, vendet e para dhe të dyta, të klasave të 7-ta, 8-ta, 9-ta, 10-ta, 11-ta dhe të 12-ta, do të marrin pjesë në Olimpiadën e XVIII Matematike të Kosovës – OMK 2026, që do të mbahet më 10 janar 2026 në hapësirat e Fakultetit Teknik të Universitetit të Prishtinës.