Me dhimbje dhe pikëllim të madh morëm lajmin për ndarjen nga jeta të bashkëqytetarit tonë, Ali Sadriut.
Në këto çaste të rënda dhimbjeje, Kryetari i Komunës së Shtimes, Dr. Qemajl Aliu, shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes Sadriu, të afërmve, miqve, kolegëve dhe të gjithë atyre që e njohën dhe e vlerësuan të ndjerin, duke ndarë dhimbjen me ta në këtë moment të rëndë humbjeje.
“Me dhimbje të thellë mora lajmin për ndarjen nga jeta të bashkëvendësit tonë, Ali Sadriut, një nga personalitetet më të shquara që ka dhënë Shtimja.
Ai ishte njeri i përgjegjësisë publike dhe i vizionit institucional, i cili në vitet më të vështira për vendin ishte bartës i proceseve kyçe shtetërore, politike dhe financiare, duke dhënë kontribut vendimtar në ndërtimin e institucioneve.
Gjatë veprimtarisë së tij, Ali Sadriu mbajti pozita të larta shtetërore, politike dhe institucionale. Shërbeu si Ministër i Financave në dy mandate, si deputet në disa legjislatura, si bashkëdrejtues i Autoritetit Qendror Fiskal, si drejtues i QKUK-së, si dhe si kryetar i degës së LDK-së në Komunën e Shtimes në vitet më të vështira të nëntëdhjetave, duke dëshmuar përkushtim, guxim dhe përgjegjësi publike e kombëtare.
Ndarja e tij nga jeta është humbje e madhe për familjen, për Komunën e Shtimes dhe për të gjithë Kosovën. Në emrin tim dhe të Komunës së Shtimes, shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes Sadriu dhe të gjithë atyre që ndajnë dhimbjen e kësaj humbjeje.
Kujtimi dhe vepra e tij do të mbeten përjetësisht në memorien tonë shtetërore kolektive”, mbyllet telegrami i ngushëllimit.