Shtime, 9 janar 2026- Kryetari i Komunës së Shtimes, Dr. Qemajl Aliu, ka emëruar sot zyrtarisht Adnan Ademin në detyrën e Nënkryetarit të Komunës së Shtimes. Me këtë rast, kryetari Aliu vlerësoi lart angazhimin dhe kontributin e vazhdueshëm të Adnan Ademit, duke e cilësuar atë si një nga aktivistët e ditëve të para, kontribues të palodhur dhe mbrojtës të kahershëm të interesit publik.
Kryetari Aliu gjithashtu theksoi përvojën e tij institucionale, si ish-Kryetar i Qendrës së LVV-së, Qendra ne Shtime, dhe ish-Kryesues i Kuvendit Komunal, detyra të cilat i ka ushtruar me përkushtim dhe profesionalizëm të lartë.
Në të njëjtën kohë, Kryetari Aliu shprehu falënderime të përzemërta për ish-Nënkryetarin e Komunës, Faruk Beqa, për punën dhe përkushtimin e treguar gjatë mandatit të parë. Ai vlerësoi parimet, humanizmin dhe urtësinë që e kanë karakterizuar Beqën gjatë ushtrimit të detyrës, duke theksuar se kontributi i tij ka qenë i çmuar për funksionimin dhe avancimin e institucioneve komunale.
“Na presin shumë punë dhe bashkë do të vazhdojmë fuqishëm përpara. Na priftë e mbara”, tha kryetari Aliu.