Shtime, 15 janar 2026- Me rastin e shënimit të 27 vjetorit të Masakrës së Reçakut, Shoqata Bjeshkatare Alpiniste “Guri i Shtrenjtë” dhe Shoqata Bjeshkatare Alpiniste “Vjosa”, së bashku edhe me disa shoqata bjeshkatare nga vende të ndryshme, organizuan sot ecjen tradicionale përkujtimore në shenjë nderimi dhe kujtese, duke filluar nga Kompleksi Memorial i Masakrës së Reçakut, për të vazhduar përmes Kodrës së Bebushit dhe për të përfunduar te Shtabi i UÇK-së në fshatin Rancë, një shteg që bart peshën e sakrificës dhe qëndresës për liri.
Në këtë aktivitet përkujtimor ishte i pranishëm edhe nënkryetari i Komunës së Shtimes, Adnan Ademi, i cili shprehu respektin institucional dhe solidaritetin ndaj familjeve të viktimave, si dhe rëndësinë e ruajtjes së kujtesës historike për brezat e rinj.
Me këtë rast, pjesëmarrësit në Kompleksin Memorial në Reçak bënë homazhe dhe vendosën buqeta me lule në nderim të 45 civilëve të pafajshëm, të ekzekutuar më 15 janar 1999 nga forcat policore dhe ushtarake serbe.