Shtime, 14 janar 2026- Në përvjetorin e 27-të të Masakrës së Reçakut, Forumi i Intelektualëve në Shtime, në Biblioteken e qytetit, organizoi një tryezë shkencore me temën “Mohimet serbe të krimeve dhe gjenocidit, destabilizim për Ballkanin”, ku morën pjesë profesorë dhe studiues nga Kosova e Shqipëria, si dhe Ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Kosovë, Petrit Malaj.
Gjatë diskutimeve u theksua rëndësia e mbrojtjes së së vërtetës historike dhe rreziku që mohimi i krimeve paraqet për drejtësinë dhe paqen.
Kryetari i Komunës së Shtimes, dr. Qemajl Aliu, duke shprehur mirënjohje për organizatorët, tha se Reçaku përfaqëson një kthesë vendimtare në historinë e Kosovës:
“Masakra e Reçakut nuk është më e madhja ndër masakrat e kryera nga Serbia, por ka një rol të veçantë sepse aty u denoncua ndërkombëtarisht krimi, falë ambasadorit William Walker, duke shënuar fillimin e një procesi që çoi në ndërhyrjen e NATO-s dhe në lirinë e Kosovës”, tha kryetari Aliu, duke theksuar gjithashtu se Memoriali i Reçakut është shpallur projekt nacional dhe se shteti do të kujdeset për ruajtjen dhe arkivimin e dëshmive të krimeve, duke përmendur edhe aktakuzën e ngritur ndaj 21 të akuzuarve për krime lufte.
Kryetari i Forumit të Intelektualëve në Shtime, Banush Imeri, vlerësoi se Reçaku mbetet një simbol i rëndë i vuajtjes dhe kujtesës kolektive.
“Kjo tryezë synon që përmes trajtimeve profesionale të ndriçojë edhe më shumë dimensionin e masakrës së Reçakut dhe rëndësinë e saj për identitetin dhe kujtesën tonë kolektive”, tha Imeri.
Ndërkaq, Ambasadori Petrit Malaj tha se mohimi i krimeve serbe përbën rrezik serioz për të ardhmen:
“Mohimi i krimeve në Kosovë nuk është thjesht mohim i së shkuarës, por kërcënim i drejtpërdrejtë për të ardhmen. Pa drejtësi dhe pa përgjegjësi nuk mund të ketë paqe të qëndrueshme”, tha ambasadori Malaj, duke nënvizuar rolin e akademisë, institucioneve dhe diplomacisë në mbrojtjen e së vërtetës historike.
Masakra e Reçakut, ku më 15 janar 1999 u vranë 45 civilë shqiptarë, mbetet një dëshmi e krimeve kundër njerëzimit dhe një thirrje e përhershme për drejtësi, kujtesë dhe përgjegjësi historike.