Shtime, 22 janar 2026- Në ambientet e Stacionit Policor në Shtime, komandanti i këtij stacioni, toger Haxhi Behluli, prezantoi sot raportin vjetor të punës dhe rezultateve të arritura gjatë vitit 2025.
Në këtë takim ishin të pranishëm kryetari i Komunës së Shtimes, dr. Qemajl Aliu, drejtori i Shërbimeve Publike, Halil Kurtishi, si dhe përfaqësues dhe drejtues të institucioneve të ndryshme komunale dhe rajonale.
Gjatë prezantimit, komandanti Haxhi Behluli paraqiti në mënyrë të detajuar punën, angazhimet dhe të arriturat e Stacionit Policor në Shtime gjatë vitit që lamë pas, duke vënë në pah edhe sfidat me të cilat janë përballur. Megjithatë, ai theksoi se, në përgjithësi, gjendja e sigurisë në komunën tonë gjatë gjithë vitit ka qenë stabile, falë përkushtimit dhe bashkëpunimit të vazhdueshëm ndërinstitucional.
Nga ana e tij, kryetari Aliu falënderoi Policinë e Kosovës për punën dhe angazhimin e pandalur në ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike, duke vlerësuar lart profesionalizmin dhe gatishmërinë e zyrtarëve policorë për t’u shërbyer qytetarëve në çdo kohë.
Në shenjë mirënjohjeje për bashkëpunimin e mirë dhe mbështetjen e ndërsjellë, Stacioni Policor në Shtime ndau mirënjohje për kryetarin Aliu, përfaqësuesit institucionalë, si dhe për zyrtarët dhe policët e këtij stacioni në funksion të sigurisë dhe mirëqenies së qytetarëve.