Shtime, 11 shkurt 2026- Sot shënohet 27 vjetori i varrimit të civilëve shqiptarë të vrarë në Masakrën e Reçakut, një nga ngjarjet më të rënda dhe më tragjike të historisë sonë kombëtare. Kjo ditë përkujtimore është një moment për të nderuar me përulësi martirët që u sakrifikuan për lirinë e vendit, duke mbetur simbol i dhimbjes, por edhe i forcës dhe qëndresës së një populli që nuk harron.
Pas tragjedisë, trupat e viktimave u mbajtën për rreth një muaj në morgun e Prishtinës për kryerjen e obduksionit, ndërsa më 11 shkurt 1999 u kthyen pranë familjeve dhe u varrosën me nderime në Reçak, në një ceremoni që tronditi ndërgjegjen ndërkombëtare.
Masakra e Reçakut bëri kthesën historike pas deklarimit të shefit të Misionit Verifikues të OSBE-së në Kosovë, William Walker, i cili e cilësoi atë si krim kundër njerëzimit.
Reçaku duhet të mbetet i paharruar në kujtesën dhe vetëdijen tonë kombëtare, si kujtim i dhimbjes, por edhe si udhërrëfyes në rrugën e shtetndërtimit dhe të së ardhmes sonë.