Me dhimbje dhe pikëllim të madh morëm lajmin për ndarjen nga jeta të bashkëqytetarit tonë dhe mësimdhënësit shumëvjeçar, Avni Isufi.
Gjatë viteve të punës së tij, ai shërbeu me përkushtim në ShFMU “Lasgush Poradeci” në Muzeqinë, si dhe në paralelen në Vojnoc, ku ligjëroi lëndët e fizikës dhe matematikës, duke u dalluar gjithmonë për profesionalizëm, korrektësi dhe përkushtim të vazhdueshëm ndaj nxënësve dhe kolegëve.
Përmes telegramit të ngushëllimit, Kryetari i Komunës së Shtimes, Dr. Qemajl Aliu, shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes Isufi, të afërmve, miqve, kolegëve dhe të gjithë atyre që patën fatin ta njohin dhe ta vlerësojnë të ndjerin.
“Avni Isufi tërë jetën ia kushtoi edukimit dhe arsimimit të brezave të rinj, duke lënë gjurmë të pashlyeshme në shumë gjenerata nxënësish. Me ndarjen e tij nga jeta, komuna jonë humbi një edukator të përkushtuar të formimit dhe edukimit të brezave të rinj.
Do të kujtohet gjithmonë për urtësinë, profesionalizmin dhe dashurinë ndaj nxënësve, duke lënë pas një trashëgimi të çmuar në arsimin tonë.
Ngushëllime të sinqerta familjes Isufi, kolegëve, nxënësve dhe të gjithë atyre që patën fatin të punojnë dhe ta njohin nga afër”, mbyllet telegrami i ngushëllimit.