Shtime, 19 shkurt 2026- Me qëllim të fuqizimit të bashkëpunimit ndërinstitucional dhe rritjes së cilësisë së shërbimeve në institucionet arsimore, Drejtoria Komunale e Arsimit dje ka organizuar një takim pune me drejtorët e shkollave të komunës së Shtimes, përfaqësuesit e QKMF “Dr. Vezir Bajrami” si dhe përfaqësues të Stacioni Policor të Shtimes.
Qëllimi i këtij takimi ishte koordinimi i aktiviteteve dhe thellimi i bashkëpunimit në funksion të garantimit të një mjedisi sa më të sigurt, të shëndetshëm dhe mbështetës për nxënësit dhe stafin arsimor.
Në kuadër të diskutimeve me përfaqësuesit e sektorit shëndetësor, konkretisht me dr. Lumturije Hysaj, u trajtuan çështje me rëndësi që lidhen me shëndetin e nxënësve. U theksua nevoja për organizimin e kontrolleve sistematike shëndetësore, identifikimin dhe trajtimin në kohë të problemeve të mundshme shëndetësore, si dhe menaxhimin e pushimeve mjekësore për nxënësit dhe stafin arsimor. Gjithashtu, u diskutua për realizimin e vizitave rutinore të ekipeve mjekësore nëpër institucionet arsimore, me qëllim të ofrimit të këshillave parandaluese, ngritjes së vetëdijes për higjienën personale dhe shëndetin në përgjithësi tek nxënësit.
Ndërkaq, në pjesën e takimit me zyrtarët policorë të Shtimes, të përfaqësuar nga komandanti Haxhi Behluli, fokusi kryesor ishte siguria e përgjithshme në shkolla. U diskutua për kontrollin dhe menaxhimin e hyrje-daljeve në ambientet shkollore, rritjen e mbikëqyrjes gjatë pushimeve dhe qëndrimit të nxënësve në oborret e shkollave, si dhe për forcimin e prezencës parandaluese të policisë në afërsi të institucioneve arsimore.
Një vëmendje e veçantë iu kushtua funksionalizimit dhe mirëmbajtjes së pajisjeve të sigurisë, përfshirë kamerat e vëzhgimit, ndriçimin adekuat dhe sinjalizimin përkatës brenda dhe jashtë objekteve shkollore. Po ashtu, u theksua rëndësia e mirëmbajtjes së rregullt të ambienteve shkollore për të shmangur rreziqet fizike për nxënësit, si dhe nevoja për reagim të shpejtë institucional në rastet e incidenteve apo situatave të dyshimta.
Në përfundim të takimit, udhëheqësi i Sektorit të Arsimit, Lulzim Sahiti, falënderoi përfaqësuesit e institucioneve pjesëmarrëse për bashkëpunimin e deritanishëm dhe gatishmërinë për ta thelluar atë edhe më tej. Ai theksoi se vetëm përmes një koordinimi të vazhdueshëm ndërmjet arsimit, shëndetësisë dhe sigurisë mund të krijohet një mjedis i qëndrueshëm, i sigurt dhe motivues për zhvillimin e nxënësve.
Ky takim shënon një hap të rëndësishëm drejt konsolidimit të partneritetit institucional, me synimin që sfidat e përditshme në shkolla të adresohen në mënyrë të përbashkët, profesionale dhe në interesin më të mirë të nxënësve.