Shtime, 26 shkurt 2026- Drejtoria Komunale e Arsimit, falë bashkëpunimit të shkëlqyer me Shtëpinë Botuese “Pema” dhe “Hamilton”, për nder të 23 Prillit, Ditës Ndërkombëtare të Librit dhe të Drejtave Autoriale, ka realizuar një donacion të çmuar për shkollat e komunës së Shtimes. Në kuadër të kësaj dite të rëndësishme që promovon leximin, librin dhe respektimin e të drejtave të autorëve, janë dhuruar gjithsej 320 tituj librash në vlerë prej 1600 euro.
Ky donacion përfaqëson një kontribut të rëndësishëm në pasurimin e bibliotekave shkollore dhe në nxitjen e kulturës së leximit tek nxënësit. Me këtë rast, drejtuesja e ekipës së “Hamilton House” në Kosovë, Ardita Osmanaj, ka bërë të ditur se katër shkolla të komunës së Shtimes do të përfitojnë nga 80 tituj librash.
Librat e dhuruar përfshijnë lektyra shkollore për nivelin 0-5, si dhe për nivelin VI-IX, duke mbuluar kështu një gamë të gjerë moshash dhe nevojash arsimore.
Falë këtij donacioni, bibliotekat e shkollave do të pasurohen me tituj të rinj, të cilët do të jenë në shërbim të drejtpërdrejtë të nxënësve dhe mësimdhënësve.
Me nga 80 tituj librash do të pajisen bibliotekat e ShFMU “Abdullah Shabani” në Carralevë, ShFMU “Hasan Prishtina” në Godanc, ShFMU “Idriz Gashi” në Pjetërshticë dhe ShFMU “Skënderbeu” në Reçak.
Udhëheqësi i Sektorit të Arsimit, Lulzim Sahiti, ka shprehur mirënjohjen e tij për Shtëpinë Botuese “Pema” dhe “Hamilton” për këtë donacion të vyer, si dhe për bashkëpunimin e vazhdueshëm në aktivitete që kanë në fokus arsimin dhe zhvillimin e nxënësve. Ai ka theksuar se investimi në libra është investim në dijen dhe të ardhmen e brezave të rinj.
Gjithashtu, ai ka falënderuar botuesit për organizimin e Garës Komunale “Spelling Bee” në Shtime, një aktivitet që ka nxitur frymën garuese, përkushtimin dhe dashurinë për gjuhën tek nxënësit. Sipas tij, iniciativa të tilla janë dëshmi e angazhimit të përbashkët për të krijuar një mjedis arsimor më cilësor dhe motivues për të gjithë nxënësit e komunës së Shtimes.
Ky bashkëpunim i frytshëm mes institucioneve arsimore dhe shtëpive botuese pritet të vazhdojë edhe në të ardhmen, me qëllim të mbështetjes së vazhdueshme të shkollave dhe ngritjes së standardeve arsimore në komunë.