Shtime, 11 mars 2026- Shtëpia Botuese “Dukagjini”, për shtatë shkollat fillore të komunës së Shtimes, dje ka dhuruar 1196 copë lektyra shkollore në vlerë prej 5382 eurosh. Me këtë donacion shumë të rëndësishëm librash është pasuruar fondi librar i bibliotekave shkollore për nevojat e nxënësve tanë.
Udhëheqësi i Sektorit të Arsimit, Lulzim Sahiti, ka bërë të ditur se Shtëpia Botuese “Dukagjini” ka dhuruar lektyra shkollore në vlerë prej 5382 eurosh, të destinuara për nxënësit e klasave 1–5. Sipas tij, ky donacion përbën një kontribut të çmuar për pasurimin e bibliotekave shkollore dhe ka për qëllim nxitjen e dashurisë për lexim tek nxënësit.
“Librat janë një dritare e hapur drejt dijes dhe imagjinatës dhe, falë këtij donacioni, fëmijët tanë do të kenë edhe më shumë mundësi për të mësuar dhe për të zbuluar botën e librit”, ka theksuar Sahiti.
Në emër të institucioneve edukativo-arsimore të komunës së Shtimes, udhëheqësi i Sektorit të Arsimit, Lulzim Sahiti, ka falënderuar përfaqësuesin e ShB “Dukagjini”, z. Florim Millaku, i cili ka sjellë këtë donacion, dhe ka shprehur mirënjohje për këtë mbështetje të vlefshme në edukimin dhe formimin e brezave të rinj.