Shtime, 18 mars 2026- Në kuadër të përkujdesjes dhe solidaritetit ndaj familjeve në nevojë, ditë më parë në Komunën e Shtimes është realizuar aksion humanitar ku Këshilli i Bashkësisë Islame në Shtime, në bashkëpunim me Shoqatën Humanitare “Bereqeti”, dega në Shtime, kanë arritur të ndihmojnë gjithsej 220 familje skamnore me pako ushqimore. Ndërkohë, kontribut të çmuar ka dhënë edhe organizata “Qatar Charity”, e cila gjithashtu ka shpërndarë 100 pako të tjera për familjet në nevojë dhe KFORI Turk me 10 pako.
Në këtë aktivitet ishte e pranishme edhe drejtoresha e Drejtorisë për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, Mimoza Salihu-Qeriqi, e cila shprehu mirënjohje të thellë për angazhimin dhe kontributin e dhënë nga Këshilli i Bashkësisë Islame në Shtime, shoqata “Bereqeti” dhe organizata “Charity ”. Ajo theksoi se iniciativa të tilla janë dëshmi e solidaritetit dhe bashkëpunimit ndërinstitucional në mbështetje të kategorive më të ndjeshme të shoqërisë.
“Mbështetja për familjet në nevojë është një akt human dhe një detyrim shoqëror, sidomos në prag të muajit të shenjtë të Ramazanit, kur ndihma dhe solidariteti marrin një kuptim edhe më të veçantë”, tha drejtoresha Salihu-Qeriqi.
Në procesin e shpërndarjes së pakove ushqimore kanë qenë të pranishëm edhe përfaqësues nga Qendra për Punë Sociale, e cila ka luajtur rol kyç në përzgjedhjen e familjeve përfituese, duke u bazuar në kriteret dhe nevojat reale të tyre.
Ky aksion humanitar u realizua gjatë muajit të Ramazanit.