Shtime, 3 prill 2026- Me ftesë të Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti, Kryetari i Komunës së Shtimes, Dr. Qemajl Aliu, mori pjesë në Akademinë përkujtimore të organizuar me rastin e 45 vjetorit të demonstratave të vitit 1981.
Akademia mblodhi përfaqësues të institucioneve, familjarë të pjesëmarrësve të asaj kohe, studiues dhe qytetarë, me qëllim të përkujtimit dhe nderimit të një prej ngjarjeve më të rëndësishme në historinë e Kosovës.
Në këtë akademi u theksua rëndësia e ruajtjes së kujtesës historike dhe vlerësimit të kontributit të brezave që sakrifikuan për të drejtat dhe liritë e popullit.
Me pjesëmarrjen e tij, kryetari Aliu theksoi se këto ngjarje janë pjesë e rëndësishme e historisë sonë dhe na kujtojnë rrugën drejt lirisë. Ai tha se sakrifica e vitit 1981 duhet të jetë frymëzim për të rinjtë, që të punojnë për një shtet të drejtë dhe demokratik.
Demonstratat e vitit 1981 përbëjnë një moment të rëndësishëm historik, që dëshmon përkushtimin dhe vendosmërinë e qytetarëve për barazi dhe të drejta.