Shtime, 14 prill 2026- Me ftesë zyrtare të Ministrit për Evropë dhe Punë të Jashtme të Shqipërisë, Ferit Hoxha, kryetari i Komunës së Shtimes, dr. Qemajl Aliu, po merr pjesë në Samitin IV të Diasporës Shqiptare, i cili po mbahet në Tiranë.
Me këtë rast, kryetari Aliu ka shprehur nderin dhe kënaqësinë e veçantë për përfaqësimin e Komunës së Shtimes në këtë ngjarje të rëndësishme ndërkombëtare, e cila zhvillohet me pjesëmarrje të nivelit të lartë institucional. Ai falënderoi Ministrin Hoxha për ftesën dhe vlerësimin e treguar ndaj institucionit që ai përfaqëson.
Në kuadër të këtij samiti, kryetari Aliu është i angazhuar si panelist në diskutimin me temë “Zhvillimi Lokal dhe Rural: A ka rol për Diasporën?”, ku do të paraqesë perspektivat dhe mundësitë konkrete për shndërrimin e diasporës në një faktor kyç të zhvillimit ekonomik. Në fokus të fjalës së tij do të jenë investimet nga diaspora, rikthimi i njohurive, si dhe mbështetja e iniciativave lokale.