Shtime 18 prill 2026- Në ambientet e Bibliotekës së Qytetit në Shtime u mbajt promovimi i librit me poezi “Ju flet Tirana” të autorit shtimjan Abdyl Hajredini, një ngjarje kulturore që mblodhi dashamirës të librit, krijues dhe përfaqësues institucionalë.
Në këtë promovim mori pjesë edhe kryetari i Komunës së Shtimes, dr. Qemajl Aliu, i cili përgëzoi autorin për punën dhe përkushtimin e tij në fushën e letërsisë.
“Krijimtaria e tij shquhet për një gjuhë të natyrshme dhe mesazhe që e lidhin bukur artin me identitetin tonë kombëtar. Ky botim është dëshmi e një pune të gjatë dhe një kontribut i vyer për kulturën tonë. Mbështetja e autorëve të tillë na ndihmon të ruajmë dhe të pasurojmë trashëgiminë tonë letrare”, tha kryetari Aliu.
Të pranishmit patën rastin të njihen më nga afër edhe me përmbajtjen dhe vlerat artistike të veprës, si dhe me rrugëtimin krijues të autorit, i cili përmes këtij botimi sjell reflektime të thella dhe mesazhe me rëndësi për shoqërinë dhe identitetin kulturor.