Shtime, 30 prill 2026- Në kuadër të bashkëpunimit arsimor ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, më 25 prill 2026 në Bibliotekën e Qytetit në Shtime, është zhvilluar faza e dytë në nivel komunal e Olimpiadës II të Gjuhës Shqipe për nxënësit e klasave të 9-ta.
Drejtoria Komunale e Arsimit (DKA) ka ndërmarrë të gjitha përgatitjet e nevojshme për të siguruar mbarëvajtjen e këtij procesi të rëndësishëm arsimor. Në Shtime, DKA ka realizuar fillimisht fazën e parë në nivel shkolle, duke organizuar Olimpiadën e përbashkët në lëndën e Gjuhës Shqipe me nxënësit e klasave të 9-ta.
Sipas kritereve të përcaktuara, në këtë aktivitet janë përfshirë nxënës nga 7 institucione publike të arsimit parauniversitar, me gjithsej 118 nxënës. Qëllimi i kësaj olimpiade është identifikimi dhe vlerësimi i talenteve në Gjuhën Shqipe, si dhe frymëzimi i nxënësve për arritje edhe më të mëdha në të ardhmen.
Pas përfundimit të procesit të testimit dhe vlerësimit, katër nxënës kanë përbushur kriterin e përcaktuar për kalueshmëri dhe janë kualifikuar për pjesëmarrje në fazën e tretë (niveli shtetëror), më 9 maj 2025 në Prishtinë.
Nxënësit që kanë arritur të kalojnë fazën e dytë në Olimpiadën Komunale të Gjuhës Shqipe janë:
1. Elma Aliu, fituese e vendit të parë-ShFMU “Lasgush Poradeci” në Muzeqinë;
2. Ruvejda Jakupi, fituese e vendit të dytë-ShFMU “Skënderbeu” në Reçak;
3. Enkeleda Sopa, fituese e vendit të tretë-ShFMU “Lasgush Poradeci” në Muzeqinë;
4. Egzona Bajrami, fituese e vendit të tretë-ShFMU “Abdullah Shabani” në Carralevë.
Drejtoria Komunale e Arsimit për nxënësit e suksesshëm në Olimpiadën Komunale të Gjuhës Shqipe, sot ka dhënë certifikata.
Ky aktivitet synon të rrisë cilësinë e arsimit dhe të promovojë rëndësinë e gjuhës shqipe në procesin mësimor, duke vendosur një traditë të qëndrueshme të garave ndërmjet nxënësve të dy vendeve.