Shtime, 19 qershor 2026- Ministria e Digjitalizimit dhe Administratës Publike shënoi Ditën Ndërkombëtare të Shërbimit Publik në një aktivitet ku morën pjesë Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, Ministri i Digjitalizimit dhe Administratës Publike, Lulëzon Jagxhiu, Shefi i Bashkëpunimit në Zyrën e BE-së në Kosovë, Hubert Perr, si dhe përfaqësues të institucioneve vendore dhe partnerë ndërkombëtarë.
Në fjalën e tij, Kryeministri Albin Kurti tha se administrata publike është fytyra e shtetit përballë qytetarëve dhe se besimi në institucione ndërtohet përmes punës së përditshme të shërbyesve publikë. Ai vlerësoi gjithashtu rëndësinë e reformave dhe digjitalizimit si shtylla kyçe për ndërtimin e një administrate moderne dhe efikase.
Në kuadër të ceremonisë së ndarjes së mirënjohjeve për shërbyesit civilë të dalluar, me mirënjohje u nderua edhe udhëheqësi i sektorit për kadastër dhe gjeodezi në Komunën e Shtimes, Sami Januzi, për përkushtimin, profesionalizmin dhe kontributin e tij në forcimin e administratës publike dhe ofrimin e shërbimeve cilësore për qytetarët. Kjo mirënjohje përfaqëson një vlerësim të punës dhe angazhimit të tij në shërbim të qytetarëve dhe institucioneve lokale.
Dita Ndërkombëtare e Shërbimit Publik, 23 qershor, shënohet çdo vit, per të njohur dhe promovuar rolin e shërbyesve publikë në ndërtimin e institucioneve efikase e transparente.