Shtime, 8 korrik 2026- Në sallën e Kuvendit të Komunës së Shtimes u mbajt konsultimi publik për Draft-Programin Trevjeçar për Banim Social në Komunën e Shtimes. Në këtë konsultim morën pjesë qytetarë, anëtarë të grupit punues për hartimin e programit, si dhe përfaqësues të institucioneve.
Takimin e hapi Faruk Beqa, anëtar i grupit punues për hartimin e këtij programi, i cili i njoftoi të pranishmit me përmbajtjen e Draft-Programit, duke theksuar rëndësinë e tij për përmirësimin e mirëqenies së qytetarëve të Komunës së Shtimes. Ai falënderoi ekipin punues për angazhimin dhe profesionalizmin e treguar gjatë procesit të hartimit të këtij dokumenti.
Gjatë prezantimit, u theksua se qëllimi i Programit Trevjeçar për Banim Social është krijimi i kushteve për banim të përshtatshëm dhe të qëndrueshëm, në përputhje me standardet dhe normat evropiane të banimit. Programi synon të ofrojë zgjidhje për nevojat e banimit të grupeve të caktuara të qytetarëve, të cilët, për shkak të gjendjes së tyre ekonomike, nuk kanë mundësi ta zgjidhin vetë çështjen e strehimit.
Gjatë diskutimit, të pranishmit vlerësuan hartimin e Draft-Programit dhe shprehën mbështetjen e tyre për masat dhe veprimet e parapara në të. Njëkohësisht, ata paraqitën edhe sugjerime dhe komente shtesë.